PQH/OGP

Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është një nismë vullnetare ndërkombëtare që synon të sigurojë angazhime të qeverive në  promovim të transparencës, fuqizimit të qytetarëve, luftës ndaj korrupsionit, dhe shfrytëzimit të teknologjive të reja për forcimin e qeverisjes. Shqipëria është bërë anëtare e PQH-së në shtator të vitit 2011.
Në përputhje me rregullat e këtij mekanizmi, Qeveritë dhe shoqëria civile e vendeve pjesëmarrëse përgatisin Planet Kombëtare të Veprimit, si instrumentet detajuese për reformat apo angazhimet konkrete që ndërmerren përgjatë dy viteve, në mbështetje të vlerave dhe objektivave të PQH-së.
Plani Kombëtar i Veprimit për PQH-në 2018-2020, është plani i katërt i hartuar nga Qeveria Shqiptare si pjesëmarrëse në këtë iniciativë.
Ky plan veprimi parashikon angazhime të rëndësishme në mbështetje të proceseve kyçe të zhvillimit strategjik dhe integrimit evropian vendit, si mirë-rregullimi dhe rritja e transparencës në qeverisje, mirë-menaxhimi i burimeve publike, përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe luftën ndaj korrupsionit.
 
Zbatimi i Planit të Veprimit të PQH-së 2018-2020 do t’i shërbejë gjerësisht përmirësimit dhe transformimit të qeverisjes në vend, në përputhje me prioritetet e Programit të Qeverisë Shqiptare 2017-2020 dhe kërkesave të shoqërisë dhe qytetarëve shqiptarë.
 
Plani i Veprimit i PQH-së 2018-2020 përbëhet nga 4 komponentë:
- Komponenti I: Qeverisje e hapur për të rritur transparencën e raportimit qeveritar dhe përmirësuar aksesueshmërinë në informacion;
- Komponenti II: Qeverisje e hapur për të modernizuar shërbimet publike dhe Qeverisjen E-Gov;
- Komponenti III: Qeverisje e hapur për ‘Better Regulation’;
- Komponenti IV: Qeverisje e hapur për krijimin e komuniteteve të sigurta;
 
Secili komponent ka të përcaktuar qartë qëllimet, objektivat specifikë të shoqëruar me indikatorë rezultati dhe produkti, masat e lidhura me këto objektiva, institucionet përgjegjëse, kostot dhe buxhetet përkatëse. 
 
Në përputhje me principin e bashkë-krijimit të angazhimeve për PQH-në, brenda mekanizmave të grupeve tematike të GMIP-së për Mirëqeverisjen dhe Administrimin Publik, u zhvilluan një numër procesesh dhe aktivitetesh konsultuese me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore kyçe, partnerëve ndërkombëtar për zhvillim dhe integrim dhe disa organizatave të shoqërisë civile. Plani i Veprimit i PQH-së 2018-2020 është produkt i këtij procesi bashkë-krijimi.
Publikimi i draft Planit të Veprimit të PQH-së 2018-2020 në regjistrin elektronik të njoftimeve dhe konsultimeve synon të zgjerojë bazën e qytetarëve, publikut të gjerë, organizatave dhe ekspertëve të shoqërisë civile që me kontributin dhe rekomandimet e tyre do të përmirësojnë këtë paketë të propozuar angazhimesh, drejt qëllimit të përbashkët të rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së  qeverisjes publike.  
Procesi i konsultimit i Planit të Veprimit të PQH-së 2018-2020 do të përfundojë brenda vitit 2018.